Qendra MINBER

Ahireti: Jeta e përtejme

Home » Ahireti: Jeta e përtejme

 

 

 

 

 

 

 

 

Të nderuar besimtarë, të gjithë ne jemi udhëtarë në këtë botë të përkohshme. Ne do të jetojmë për aq kohë sa të urdhërojë Zoti dhe më pas do të migrojmë në jetën e përtejme, në Ahiret. Jeta e përtejme është emri i shtëpisë sonë të përjetshme, ku do të gjejmë shpërblimin e asaj që kemi bërë në këtë botë. Besimi në Ahiret, jetën e përtejme është një nga gjashtë shtyllat e besimit islam.

Kijameti do të ndodhë patjetër dhe një ditë do t’i vijë fundi jetës së kësaj bote, me gjithë magjepsjen dhe joshjen e saj. Në ditën e gjykimit, të gjithë njerëzit do të mblidhen në praninë e Zotit të Plotfuqishëm ku mëkatet dhe veprat tona të mira do të peshohen në peshoren e pagabueshme të quajtur Mizan. Atë ditë regjistri i veprave tona do të na vihet përpara dhe do të na thuhet:

ٱقۡرَأۡ كِتَٰبَكَ كَفَىٰ بِنَفۡسِكَ ٱلۡيَوۡمَ عَلَيۡكَ حَسِيبٗا

“Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes![1]

Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira në këtë botë dhe përvetësojnë moralin e mirë si parim, do të meritojnë mëshirën e Allahut dhe do të hyjnë në xhennet. Ndërsa, ata që neglizhojnë përgjegjësitë e tyre në këtë jetë do të vuajnë dënimin e tyre në botën tjetër.

Të nderuar besimtarë, besimi në jetën e përtejme duhet të na drejtojë jetën tonë të kësaj bote. Vetëdija e llogaridhënies duhet të na pengojë nga e keqja dhe të na drejtojë drejt veprave të mira. Ideja e një jete të përjetshme duhet të na bëjë njerëz të mirë e besimtar ideal, në mendime, në fjalë dhe jetën tonë në tërësi.

Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Kushdo që beson Allahun dhe Ditën e Kiametit, le të mos lëndojë fqinjin e vet! Kushdo që beson Allahun dhe Ditën e Ringjalljes, le ta nderojë dhe ta gostitë mysafirin! Kushdo që beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë mirë, ose le të heshtë (të mos përgojojë, të mos gënjejë, të mos fyejë, të mos shajë, etj.)!”[2]

Personi që beson në jetën e përtejme jeton në paqe me veten, familjen, mjedisin e tij dhe të gjitha krijesat, të gjalla e jo të gjalla. Askush nuk dëmtohet nga duart apo gjuha e tij. Besimtari duke zotëruar besimin e daljes përpara Krijuesit nuk mund të dëmtojë pasurinë, jetën, dëlirësinë dhe nderin e dikujt tjetër.

Besimtari që beson në Ditën e Gjykimit sillet mirë me bashkëshorten dhe nuk e kursen dhembshurinë dhe mëshirën ndaj fëmijëve të tij. Ai përpiqet të marrë lutjet e prindërve dhe pëlqimin e tyre. Ruan lidhjet farefisnore me të afërmit dhe sillet mirë me fqinjët. Gjithashtu, besimtari vazhdimisht duhet të zgjasë dorën për të ndihmuar jetimët, të varfërit dhe ata që janë në vështirësi.

Personi që beson në botën e përjetshme qëndron larg së keqes. Ai nuk vepron me emocione negative si mëria, egoizmi, zilia dhe armiqësia. Nuk cenon të drejtat e njerëzve dhe publikut. Besimtari nuk e ndot fitimin e tij me haram. Ai nuk e kërkon paqen dhe lumturinë vetëm në pasuri, pushtet, pozitë, famë, etj., por lumturinë e kërkon në besimin tek Allahu, kënaqësinë e adhurimit dhe bukurinë e moralit.

Të nderuar besimtarë, çfarë të mbjellim në këtë botë, atë do të korrim në botën tjetër. Duhet ta dimë se çfarëdo që të bëjmë si vepër të mirë, ajo do të na dali përpara në Ahiret. Ato që i japim në këtë jetë si sadaka dhe bamirësi, do ti gjejmë në botën tjetër.

Atëherë, le të jemi të kujdesshëm që dëshirat e përkohshme të kësaj bote të mos na bëjnë që të harrojmë Ahiretin. Në këtë kontekst, nuk duhet ta heqim nga mendja paralajmërimin që na jep Allahu në këtë ajet:

يَٰٓأَيُّهَا ٱلنَّاسُ إِنَّ وَعۡدَ ٱللَّهِ حَقّٞۖ فَلَا تَغُرَّنَّكُمُ ٱلۡحَيَوٰةُ ٱلدُّنۡيَا وَلَا يَغُرَّنَّكُم بِٱللَّهِ ٱلۡغَرُورُ

 

O njerëz! Pa dyshim, premtimi i Allahut (Dita e Gjykimit) është i vërtetë, prandaj të mos ju mashtrojë kurrsesi jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë djalli për Allahun”.[3] 

Le të shmangim çdo fjalë apo veprim që mund të na turpërojë Ditën e Gjykimit kur do të japim llogari para Allahut. Të mos harrojmë se Zoti do të na kërkojë llogari për bëmat tona dhe për ato që nuk i bëmë edhe pse kishim mundësinë ti bënim.

Hutben e sotme po e përfundojmë me kuptimin e ajetit që lexuam në fillim. Allahu xh.sh. thotë: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju![4]

 

[1] Isra, 4.

[2] Buhariu, Edeb, 3.

[3] Fatir, 5.

[4] Hashr, 18.