Qendra MINBER

Adhurimi i jep qetësi shpirtit dhe paqe shoqërisë

Home » Adhurimi i jep qetësi shpirtit dhe paqe shoqërisë

 

 

 

 

 

 

Në ajetin fisnik që lexuam në fillim të hytbes, Allahu (xh.sh.) thotë: “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!”[1]

Ndërsa në hadithin që përmendëm, Pejgamberi (a.s.) thotë: “E drejta e Allahut ndaj robërve të Tij është që ata ta adhurojnë Atë dhe të mos i shoqërojnë asgjë Atij. Nëse e bëjnë këtë, e drejta e njerëzve ndaj Allahut është që të mos i ndëshkojë ata dhe t’i fusë në xhenet”. [2]

Të nderuar besimtarë!

Adhurimi është urdhri i Islamit, motoja e myslimanit dhe pasqyrim i besimit tonë në jetë. Është shprehja e nënshtrimit, mirënjohjes dhe dashurisë sonë ndaj Zotit të Plotfuqishëm. Adhurimi është lidhja më e fortë midis Allahut dhe robit të Tij. Është rruga më e bukur që të çon drejt pëlqimit, mëshirës dhe dashurisë së Zotit. Adhurimi është disiplinë hyjnore që ndërton karakterin e personit, ia formon shpirtin atij, ia zbukuron moralin dhe i mbjell dritë në zemër e qetësi në shpirt. Ashtu siç urdhërohet në ajetin وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْاِنْسَ اِلَّا لِيَعْبُدُونِ “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë”,[3] adhurimi është qëllimi i krijimit dhe përgjegjësia jonë e të qenit rob ndaj Allahut (xh.sh.).

Të nderuar besimtarë!

Adhurimi nuk është një barrë që Zoti u ngarkon robëve të Tij, por është bekim për ata. Sepse, adhurimi na mëson durimin dhe përdorimin e frytshëm të kohës. Na mbron nga koprracia e egos sonë dhe nxit ndjenjën e solidaritetit dhe të ndarjes së mirësive me të tjerët. Na ndihmon të forcojmë ndjenjën e përkatësisë ndaj umetit dhe forcon vëllazërinë tonë. Shkurtimisht, adhurimi na bënë individë të dobishëm për familjet tona, rrethin dhe shoqërinë. Islami na këshillon që ta kalojmë çdo moment të jetës sonë me vetëdijen e adhurimit. Ndërkohë, në Kuranin fisnik Allahu (xh.sh.) na tërheq vëmendjen duke thënë:

قُلْ اِنَّ صَلَات۪ي وَنُسُك۪ي وَمَحْيَايَ وَمَمَات۪ي لِلّٰهِ رَبِّ الْعَالَم۪ينَۙ

“Thuaj: ‘Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve’”.[4] Të punosh për të siguruar jetesën për veten dhe familjen në mënyrë të ligjshme, pa lënë pas dore aktet e adhurimit që Zoti na i ka bërë të detyrueshme, është gjithashtu akt adhurimi. Të punosh me ndershmëri, pa mashtruar të tjerët, pa u përfshirë në mëkate si: kamata, gënjeshtra ose shkelja e të drejtave të të tjerëve ose të publikut është gjithashtu akt adhurimi.

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Është e paimagjinueshme që një mysliman të kërkojë ndihmë nga besimet, adhurimet, zakonet dhe traditat e një feje tjetër duke injoruar parimet e besimit dhe adhurimit të Islamit. Prehja dhe lumturia e vërtetë është e mundur vetëm me adhurimin ndaj Allahut me sinqeritet dhe përkushtim të plotë. Allahu (xh.sh.) thotë në Kuranin fisnik: اَلَا بِذِكْرِ اللّٰهِ تَطْمَئِنُّ الْقُلُوبُۜ “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”[5] Nëse ne nuk arrijmë të mbjellim dashurinë dhe adhurimin për Zotin në zemrat e të rinjve dhe fëmijëve tanë e t’i mbushim zemrat e tyre me dituri dhe mençuri, atëherë ata do të përpiqen të kërkojnë paqe dhe ngushëllim në besime dhe kultura jo të drejta jashtë Islamit.

Elhamdulilah! Ditën e xhuma, xhamitë tona janë të mbushura plot me xhemat. Atëherë siç i japim rëndësi namazit të xhumasë, le t’u japim të njëjtën rëndësi edhe namazeve të ditës, të cilat na parandalojnë nga e keqja dhe na çojnë drejt së mirës. Le të qëndrojmë krah për krah në xhamitë, që janë simbole të paqes, qetësisë dhe vëllazërisë. Le të jemi në xhami si familje. Le t’i sjellim fëmijët tanë në xhami me fjalë të mira dhe fjalë të buta. Të mos harrojmë se në këtë jetë të kësaj bote nuk erdhëm vetëm për të grumbulluar pasuri, për të arritur status dhe pozitë ose për të kaluar një jetë të mbushur me lojëra dhe argëtim. Besimi ynë nuk mund të përsoset pa kryerjen e adhurimeve. Gjithashtu, fitimet tona nuk mund të kenë begati e shtëpitë tona nuk mund të kenë lumturi. Janë aktet tona të adhurimit, të zbukuruara me moral të mirë, që do t’i japin kuptim jetës sonë. Kjo është ajo që do të na bëjë të vlerësuar në gjykimin e Allahut (xh.sh.). Paralajmërimi i Allahut (xh.sh.) në këtë drejtim është mjaft i qartë kur thotë: قُلْ مَا يَعْبَؤُ۬ا بِكُمْ رَبّ۪ي لَوْلَا دُعَآؤُ۬كُمْۚ “Thuaj: ‘Zoti im nuk do t’ju përfillte, sikur të mos ishte lutja juaj’”.[6]

[1] Hixhr: 99.

[2] Muslimi: Iman, 48; Buhariu: Xhihad, 46.

[3] Dharijat: 56.

[4] En’am: 162.

[5] Ra’d: 28.

[6] Furkan: 77.