Qendra MINBER

Abuzimi me Fenë

Home » Abuzimi me Fenë

 

 

Të nderuar besimtarë!

Një nga urtësitë që përfshihet në krijimin e njeriut, është ndërtimi dhe zhvillimi i jetës në këtë botë. Njeriu e ndërton jetën me urtësi, në masën që arrin të përvetësojë dijen e saktë fetare. Kur ai largohet nga kjo dije dhe bie pre e epsheve, injorancës dhe bestytnive, atëherë ndërtimi ia lë vendin shkatërrimit, dhe përmirësimi (rregullimi) ia lë vendin prishjes.

Të dashur besimtarë!

Feja e lartë Islame, e refuzon dhe e kundërshton teprimin dhe tejkalimin e kufijve. Pejgamberi ynë i Nderuar (a. s.), në një prej haditheve të tij thotë: “O njerëz! Ruajuni prej teprimit në fe. Sepse vërtet, ata që ishin para jush u shkatërruan pikërisht për shkak të teprimit në fe”.[1] Islami kërkon që myslimanët të ndjekin rrugën e mesme dhe të bëjnë një jetë të ekuilibruar. Zoti i Lartësuar në Kuranin Fisnik urdhëron: “Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit e tjerë dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju”.[2] Përkundër kësaj, ata që abuzojnë me vlerat e larta të Islamit – fesë së paqes dhe shpëtimit – vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot, ashtu sikurse kanë ekzistuar në të kaluarën. Qëllimi kryesor i këtyre njerëzve është që nën petkun e fesë të mbjellin ngatërresa dhe trazira brenda shoqërisë islame, dhe t’i vënë myslimanët përballë njëri-tjetrit.

Besimtarë të nderuar!

Ata që abuzojnë me fenë, e prezantojnë veten sikur të jenë përfaqësuesit ekskluzivë të saj. Ata e izolojnë Islamin brenda mendimeve të tyre të ngushta. Për të mbështetur pikëpamjet e tyre, të cilat nuk bazohen në njohuri të sakta fetare, ata e shkëpusin Kur’anin dhe Sunetin Fisnik nga kuptimi i tyre i vërtetë, dhe marrin si referencë interpretime arbitrare. Për t’i bërë të pranueshme diskurset e tyre përçarëse dhe përjashtuese, ata nuk hezitojnë t’i injorojnë hadithet profetike. Janë po këta njerëz të cilët, konceptet si shirku (idhujtaria) dhe tekfiri (shpallja e tjetrit jobesimtar) i shndërrojnë në mjete për të akuzuar dhe përjashtur myslimanët. Për të kuptuar më mirë natyrën e vërtetë të këtyre grupeve, të cilat e prezantojnë veten si përmirësues dhe mbrojtës të fesë, duhet të kujtojmë Ajetin Kuranor ku thuhet: “E kur atyre u thuhet: “Mos e prishni rendin në tokë”! Ata thonë: “Ne jemi vetëm përmirësues! Vini re, ata në të vërtetë janë shkatërruesit, por nuk e kuptojnë”.[3]

Besimtarë të dashur!

Pronari i vërtetë i fesë është Allahu xh. sh. Ndërsa ai që e ka jetuar Islamin në mënyrën më të saktë është Profeti Muhamed (s.a.s). Sipas Islamit, askush nuk mund ta vendosë veten në vendin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Askush nuk mund të japë gjykime në emër të tyre. Askush nuk mund ta injorojë trashëgiminë fetare dhe historike që vjen nga tradita jonë e gjatë. Askush nuk mund ta shohë veten si përfaqësuesin e vetëm dhe autentik të ees. Askush nuk mund të pretendojë se e vërteta absolute I përket vetëm atij. Askush nuk mund ta nxjerrë një mysliman jashtë rrethit të besimit (imanit) duke e akuzuar për shirk (idhujtari) apo kufër (mohim). Dhe mbi të gjitha, askush nuk mund të cenojë jetën, pasurinë apo nderin e një tjetri.

Të nderuar besimtarë!

Është për të ardhur keq, por duket se sot shoqëritë myslimane po përballen me një botëkuptim të rrezikshëm, i cili e sheh Islamin si monopolin e vet dhe përjashton këdo që nuk i përket atij. Këto grupe devijante, të cilat përpiqen të turbullojnë mendjet e të rinjve myslimanë dhe të cilat tentojnë ta paraqesin Islamin, fenë e paqes, krah për krah me dhunën, janë shndërruar në një problem global. Prandaj ne duhet të jemi vigjilentë ndaj këtyre strukturave që kërcënojnë bashkimin dhe vëllazërinë, dhe që synojnë të venë në rrezik të ardhmen e myslimanëve. Duhet të tregojmë kujdes të veçantë që rinia ta marrë njohurinë fetare përmes formave të sakta, me metoda dhe rrugë të drejta dhe nga njerëz kompetentë. Gjithashtu duhet të mbrojmë Kuranin Famëlartë, Sunetin e Pastër Profetik dhe traditën tonë islame, e cila buron nga qytetërimi Islam. Nuk duhet të harrojmë se dëmin më të madh Islamit dhe muslimanëve ua shkaktojnë pikërisht ata që abuzojnë me fenë, me vlerat dhe me konceptet Islame.

 

 

 

[1] Ibn Maxheh: Menasik, 63.

[2] Bakara: 143.

[3] Bakara: 10-11.