
O myslimanë të nderuar!
Një nga sahabët erdhi një ditë tek i Dërguari i Allahut (a.s.) dhe i tha:
يَا رَسُولَ اللهِ! إِنِّي أَعْمَلُ بِالتِّجَارَةِ، فَإِذَا اشْتَرَيْتُ شَيْئًا قُلْتُ سِعْرًا مُنْخَفِضًا ثُمَّ أَرْفَعُهُ شَيْئًا فَشَيْئًا، وَإِذَا بِعْتُ بَدَأْتُ بِسِعْرٍ مُرْتَفِعٍ ثُمَّ أَنْقُصُهُ. فَهَلْ مَا أَفْعَلُ صَحِيحٌ؟
“O i Dërguari i Allahut! Unë merrem me tregti. Kur blej diçka, them një çmim më të ulët, pastaj e rris pak e nga pak. Kur shes, e filloj me një çmim të lartë e pastaj e ulim. A është e drejtë ajo që bëj?”
I Dërguari i Allahut (a.s.) tha:
إِيَّاكَ أَنْ تَفْعَلَ مَا تَقُولُ! إِذَا أَرَدْتَ أَنْ تَشْتَرِيَ فَاذْكُرْ ثَمَنَهُ الحَقِيقِيَّ، فَلْيَقْبَلُوا أَوْ يَرْفُضُوا. وَإِذَا أَرَدْتَ أَنْ تَبِيعَ فَاذْكُرْ ثَمَنَهُ الحَقِيقِيَّ، فَلْيَأْخُذُوا أَوْ يَتْرُكُوا
“Ruhu të mos veprosh ashtu siç thua! Kur të duash të blesh, përmend çmimin e tij të vërtetë; le ta pranojnë ose le ta refuzojnë. Dhe kur të duash të shesësh, përmend çmimin e tij të vërtetë; le ta marrin ose le ta lënë”.[i]
O besimtarë të nderuar!
Ndër çështjet më të rëndësishme, të cilave feja jonë e madhe u kushton kujdes të veçantë, është çështja e etikës së tregtisë. Baza e moralit tregtar që urdhëron Islami është ndjeshmëria ndaj hallallit dhe haramit. Allahu i Lartësuar ka thënë:
وَأَقِيمُوا الْوَزْنَ بِالْقِسْطِ وَلَا تُخْسِرُوا الْمِيزَانَ
“Përcilleni masën drejtësisht dhe mos e pakësoni peshoren”.[ii]
Prandaj, kërkohet vendosja e drejtësisë në peshë dhe masë, sinqeriteti dhe besnikëria, si dhe braktisja e gënjeshtrës dhe e mashtrimit.
O myslimanë të nderuar!
Shembulli më i mirë në jetën tonë tregtare është i Dërguari i Allahut (a.s.), i cili edhe vetë merrej me tregti. Para shpalljes, ai njihej si Muhamedi i Besueshëm. Ai (a.s.) nxiti për punë e për fitim hallall dhe e urrente dembelinë dhe lypjen. Njëkohësisht, paralajmëroi kundër mashtrimit në peshore, gënjeshtrës në fjalë, futjes së haramit në fitime dhe sqaroi se këto janë shkaqe të ndëshkimit në zjarr.
O besimtarë të nderuar!
Për fat të keq, sot po jetojmë atë për të cilën paralajmëroi i Dërguari i Allahut (a.s.) me fjalët e tij:
سَيَأْتِي عَلَى النَّاسِ زَمَانٌ لَا يُبَالِي الْمَرْءُ بِمَا أَخَذَ الْمَالَ، أَمِنَ الْحَلَالِ أَمْ مِنَ الْحَرَام
“Do të vijë një kohë për njerëzit kur njeriu nuk do të shqetësohet se nga e ka marrë pasurinë, nga hallalli apo nga harami”.[iii]
Disa njerëz u morën me dëshirën për fitime të shumta nga rruga më e shkurtër drejt pasurisë dhe humbën ndjeshmërinë për dallimin mes hallallit dhe haramit. Sipas Islamit, paraqitja e mallrave ndryshe nga realiteti i tyre, spekulimi, kamata dhe magazinimi me qëllim ngritjeje çmimi janë padrejtësi ndaj njerëzve dhe janë haram. Mospërmbushja e premtimit apo marrja përsipër e diçkaje që nuk mund të realizohet është gënjeshtër dhe mëkat. Zbatimi i çmimeve të ndryshme për blerësit vendas dhe të huaj është mashtrim dhe mëkat. Po ashtu, shfrytëzimi i kohëve të fatkeqësive, i sezoneve të shkollimit apo i lëvizjes së punonjësve për të ngritur çmimet e qirave dhe të mallrave është padrejtësi ndaj njerëzve dhe mëkat i madh.
Në marrëdhënie, fshehja me qëllim e defekteve të mallrave ose blerja e një malli për më pak se vlera e tij e vërtetë duke shfrytëzuar injorancën e shitësit ose nevojën e tij të madhe konsiderohet shfrytëzim dhe tradhti e besës. Paralajmërimi i Profetit (a.s.) ka qenë i qartë dhe i prerë:
المُسْلِمُ أَخُو المُسْلِمِ، وَلَا يَحِلُّ لِمُسْلِمٍ أَنْ يَبِيعَ لِأَخِيهِ سِلْعَةً فِيهَا عَيْبٌ إِلَّا بَيَّنَه
“Myslimani është vëllai i myslimanit dhe nuk i lejohet myslimanit t’i shesë vëllait të tij një mall me të meta pa ia sqaruar ato”.[iv]
O myslimanë të nderuar!
Të parët tanë e mishëruan etikën e Profetit (a.s.) në tregtinë e tyre përmes institucionit të vëllazërisë, që ishte një shkollë e besnikërisë dhe e sinqeritetit, si dhe një fushë ku takohej mundi me lutjen dhe furnizimi hallall me qetësinë shpirtërore.
Allahu i Lartësuar ka thënë, duke përshkruar besimtarët:
رِجَالٌ لَا تُلْهِيهِمْ تِجَارَةٌ وَلَا بَيْعٌ عَنْ ذِكْرِ اللَّهِ وَإِقَامِ الصَّلَاةِ وَإِيتَاءِ الزَّكَاةِ ۙ يَخَافُونَ يَوْمًا تَتَقَلَّبُ فِيهِ الْقُلُوبُ وَالْأَبْصَارُ
“Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur All-llahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet”.[v]
Ata ishin një popull që bashkuan adhurimin me tregtinë, besimin me veprën. Dhe sa shumë kemi nevojë sot për të rikthyer këtë frymë në tregtinë tonë, për të kërkuar furnizimin hallall dhe për të qenë të bindur se begatia e tregtisë qëndron në sinqeritet, qetësia e saj në hallall dhe fryti i saj në kënaqësinë e Allahut të Lartësuar.
E përfundoj hytben time me përgëzimin e Profetit (a.s.):
التَّاجِرُ الصَّدُوقُ الأَمِينُ مَعَ النَّبِيِّينَ وَالصِّدِّيقِينَ وَالشُّهَدَاءِ يَوْمَ القِيَامَةِ
“Tregtari i ndershëm dhe i besueshëm do të jetë me profetët, me të sinqertët dhe me dëshmorët në Ditën e Kiametit”.[vi]
[i] Ibën Maxheh, Libri i Tregtisë, 29.
[ii] Surja Er-Rahman, ajeti 9.
[iii] Buhariu, Libri i Blerjeve, 23.
[iv] Ibën Maxheh, Libri i Tregtisë, 45.
[v] Surja En-Nur, ajeti 37.
[vi] Tirmidhiu, Libri i Blerjeve, 4.